Lojtari i Kosovës U17 vdes në fushën e lojës

FOTO: Erion Kajtazi me fanellën e Kosovës
Erion Kajtazi, futbollisti i ri i Trepçës ’89 dhe i Kosovës U17, ka vdekur të shtunën në fushën e lojës pas një arresti kardiak, kanë konfirmuar Emergjenca e Spitalit të Prizrenit dhe Federata e Futbollit të Kosovës.

Kajtazi ishte duke luajtur në ndeshjen e juniorëve mes Trepçës ’89 dhe A&N, takim që u zhvillua në Korishë të Prizrenit, kur ka rënë në tokë pa vetëdije.

“Stafet mjekësore të të dyja klubeve kanë intervenuar me shpejtësi për t’i ofruar ndihmë dhe më pas me urgjencë e kanë dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren. Megjithatë, përkundër përpjekjeve maksimale të mjekëve, Erioni nuk ka dhënë shenja jete dhe është konstatuar vdekja e tij nga ataku kardiak”, thuhet në njoftimin e FFK-së, e cila i ka shprehur ngushëllime familjes së të riut.

Ndërkohë, sipas mjekut kujdestar në Emergjencën e Prizrenit, Hekuran Veçgishti, përpjekjet e stafit mjekësor për ta kthyer në jetë talentin e klubit mitrovicas ishin të pamundura.

“Rreth orës 13:30, lojtari ka mbërritur pa shenja jete në Emergjencë. Përkundër që kemi bërë të gjitha përpjekjet për ta kthyer në jetë, ishte e pamundur”, ka thënë Veçgishti për KOHËN.

Raste të tilla janë të rralla në futbollin e Kosovës.