Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, është njoftuar nga Qendra e Situatave, se gjendja në komunat të cilat janë përballur me vërshime ditëve të fundit, si pasojë e reshjeve të shumta të shiut dhe të borës, tani është nën kontroll.
Duke ditur që vërshime ka pasur në një numër të konsiderueshëm të komunave, fatmirësisht përpos dëmeve materiale, vlerësimi i të cilave do të bëhet ditëve në vazhdim, nuk ka pasur të lënduar dhe as viktima në njerëz.
Sipas të dhënave nga Qendra e Situatave, gjendja vazhdon të jetë e rëndë por me tendencë përmirësimi. Ekipet e Xhenios, Kompania për Operacione Civile e FSK-së si dhe Njësitë e Ekipeve të Zjarrfikësve dhe të Shpëtimit, janë duke i ndihmuar banorët në zonat e prekura nga vërshimet.
Kryeministri Hoti është njoftuar se edhe sot gjatë ditës kanë vazhduar intervenimet e Njësive të Kërkim Shpëtimit dhe të Xhenios së FSK-së në një lokacion në komunën e Fushë Kosovës dhe në dy lokacione në komunën e Vushtrrisë.
Ndërsa, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, ka zhvilluar operacione për largimin e ujit nga objektet me rendësi vitale siç janë Klinika e Pulmologjisë në QKUK, KEK-u, Trafostacioni Interkonektiv në Drenas dhe Spitali i Gjinekologjisë në Çagllavicë.
/RTV-Okarina/