Fushata zgjedhore fillon sot

Fushata për zgjedhjet e parakohshme 2021 në Republikën e Kosovës fillon sot zyrtarisht dhe do të vazhdojë deri më 12 shkurt.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve, ku në zgjedhjet e 14 shkurtit të drejtë vote kanë 1,794,862 qytetarë.

Në këto zgjedhje janë 143.006 votues më pak sesa në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 dhe kjo ka ndodhur pasi që është bërë pastrimi i listave nga personat e vdekur dhe nga ata me dokumente të UNMIK-ut.

Në listë janë mbi 102 mijë votues nga diaspora, që janë verifikuar gjatë ditëve të kaluara.

Qytetarët që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë vendit, pasi kanë plotësuar kriteret ligjore, do të mund të votojnë përmes postës duke filluar nga data 2 deri më 12 shkurt për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.