Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, Mustafë Hasani, ka nënshkruar dje kontratë me përfaqësuesen e kompanisë ABB Power Grids Zagreb, Nina Dusper-Sushiq, për implementimin e projektit për ndërtim të Nënstacionit të ri në Komunën e Ferizajt.
Ky investim kapital i KOSTT në vlerë prej mbi 4.7 milionë euro, përveç ndërtimit të nënstacionit të ri në Komunën e Ferizajt parasheh edhe instalimin e transformatorit energjetik me fuqi prej 40 MVA (mega volt amper) në këtë nënstacion.
Me rastin e nënshkrimit të kontratës, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, Mustafë Hasani, theksoi se “zhvillimi i vazhdueshëm i Sistemit të Transmetimit të Kosovës është prioritet i KOSTT dhe ne jemi të përkushtuar që përmes planifikimit zhvillimor afatgjatë dhe investimeve adekuate të ofrojmë shërbime cilësore për shfrytëzuesit e sistemit duke kontribuar kështu në zhvillimin e sektorit të energjisë në Kosovë si shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik dhe social në vend.”
/RTV-Okarina/