Me gjithë situatën e krijuar nga Pandemia, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka nisur organizimet në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë.
Me gjithë sfidat e vazhdueshme që solli COVIDI-19, BQK-ja është e angazhuar në nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit financiar në vend dhe duke pasur parasysh se sektori financiar është një ndër kontribuesit kryesorë në ekonominë e Kosovës, edukimit financiar po vazhdon t’i kushtojë rëndësi të veçantë.
Përmes punës dhe angazhimit në avancimin e edukimit financiar, qytetarët kanë arritur të përmirësonin njohuritë e tyre rreth koncepteve ekonomike e financiare, produkteve, shërbimeve, sfidave e rreziqeve, përmes marrjes së informacioneve, zhvillimit të aftësive dhe shprehive të tyre për të bërë zgjedhje të duhura dhe ndërmarrë veprime efektive për të përmirësuar mirëqenien e tyre financiare.
Java Ndërkombëtare e Parasë është një fushatë vjetore globale e ndërgjegjësimit për fëmijë dhe të rinj, në mënyrë që në moshë të hershme të sigurohen, të fitojnë njohuritë, aftësitë, qëndrimet dhe sjelljet e nevojshme për të marrë vendime të duhura financiare. Kjo fushatë apo aktivitet shënohet në mbarë botën nga institucionet financiare, në mënyra të ndryshme, derisa motoja e kësaj jave, këtë vit është “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë tua!”, e cila përmban një mesazh që vjen si ndikim i pandemisë në të gjithat fushat e jetës.
“Ngritja e numrit të rasteve me Covid-19, posaçërisht javët e fundit, ka ndikuar që të ndryshojmë agjendën tonë të paraparë për këtë javë dhe t’i përshtatemi respektimit të rregullave të përcaktuara për pandeminë. Sot do të shënojmë hapjen e kësaj jave me grupe të vogla nxënësish, të cilët do të vizitojnë BQK-në. Ata kanë marrë pjesë në garën e BQK-së për ese, me temën e edukimit financiar dhe që janë përzgjedhur si esetë më të mira, për të cilët do të ndajmë disa çmime simbolike. Pastaj do të vazhdohet gjatë javës me ligjërata e aktivitete të tjera virtuale në pamundësi të realizimit të aktiviteteve të parapara. Një aktivitet tjetër për të cilin dëshiroj t’i ftoj nxënësit e shkollave të mesme që të marrin pjesë, është që sot ne kemi shpallur një konkurs për ese me temën e motos së kësaj jave ”Kujdesu për veten kujdesu për paratë!”, i cili do të qëndrojë i hapur për një muaj, ku tri esetë më të mira do t’i fitojnë 3 çmime. Qëllimi i këtij konkursi është që të nxisim të rinjtë e shkollave të mesme që të jenë më të informuar e edukuar rreth temave ekonomike e financiare”, ka thënë guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti në promovimin e kësaj jave.
Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka hapur konkursin për esenë më të mirë në fushë e financave dhe ekonomisë.