Policia e Kosovës ka njoftuar se ka intervistuar personat që sulmuan kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin në Skenderaj, dy ditë më parë.
Gjatë vizitës parazgjedhore të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, në Skenderaj, Kurti ishte shoqëruar nga forca të shumta policore dhe njësitë speciale. Një grup i njerëzve e fyen dhe e sulmuan me gjësende të ndryshme pas arritjes në qytet.
Personat që shkaktuan këtë incident u intervistuan nga Policia e Kosovës dhe rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt.
“Është raportuar se viktima mashkull kosovar është fyer dhe sulmuar me gjësende nga disa persona. Njësiti policor ka identifikuar dhe intervistuar të dyshuarit. Me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, të pyetur nga “Koha.net” për detaje më të hollësishme për mbrojtjen e Kurtit dhe arsyet që çuan që të ketë numër më të lartë të forcave policore në Skenderaj, Zyra e iformimit e Policisë së Kosovës ka thënë se veprimet e saj i ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe planifikimeve operacionale.
“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, të gjitha veprimet e saj i ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe planifikimeve të saj operacionale. Policia e Kosovës, lidhur me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës me kohë ka përgatitur urdhrin operativ, i cili ka për qëllim ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në të gjitha fazat, para gjatë dhe pas procesit zgjedhor. Veprimet policore realizohen konform urdhrit operativ, ku sipas informacioneve dhe vlerësimeve operacionale, angazhohen njësitet relevante policore me qëllim të krijimit të një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë”, ka thënë Policia e Kosovës, raporton Koha.net.