Lidhja Demokratike e Kosovës, është gjobitur tri herë me nga 2 mijë euro nga Inspektorati i Komunës së Prishtinës për mosrespektimin e masave anti-Covid gjatë tubimeve paraelektorale. Por gjobitjes nuk i kanë shpëtuar as PDK-ja, AAK-ja, VV-ja dhe Nisma.
Adonis Tahiri, drejtori i Inspektoratit komunal, ka thënë se këto parti janë gjobitur për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve dhe mosmbajtjes së maskës e distancës.
“Po deri tashti janë shqiptuar shtatë gjoba, për të njëjtat arsye pothuajse, tri janë për LDK-në dhe nga një PDK, AAK, VV, dhe Nismën, për shkak të shkeljes së Ligjit antiCOVID dhe masave të marra nga Qeveria. Shuma e gjobave është e bazuar në nenin 25 pikën 1 të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 dhe është 2 mijë euro”., tha Tahiri.
Ndër të tjerash ai theksoi se nuk mund të jenë çdo herë në vendin e ngjarjes, pasi në shumicën e rasteve mosrespektimin e masave e shohin në fotot e pasotuara në rrjete sociale nga vetë subjektet politike.
“Ka pasur raste të tilla që na kanë dërguar fotografi, jo drejtpërdrejt nga tubimi, por që i kanë parë të postuara te ndonjë pjesëmarrës në atë tubim dhe na ka ndihmuar ne që të procedojmë më tej”, shtoi ai.
/RTV-Okarina/