Gjatë pandemisë është rritur numri i vrasjeve dhe dhunës në familje

Gjatë periudhës së pandemisë (mars – dhjetor 2020) në Kosovë, është ngritur numri vrasjeve të rënda për një rast më shumë, nga 11 në 12 raste.

Kështu kanë bërë të ditur përmes një njoftimi për media disa gjetje të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD).

Sipas tyre, rritje ka pasur veçanërisht në rastet e vrasjeve, ku përderisa në periudhën e njëjtë kohore të vitit 2019 ishin pranuar në Policinë e Kosovës katër raste të vrasjeve, gjatë periudhës së pandemisë janë pranuar gjithsej 11 raste.

“ Pra, për të dy lloj vrasjet, si total, ngritje gjatë pandemisë ka pasur për 53.33%. Ngritje ka pasur edhe sa i përket veprave penale të ngacmimit ku nga 379 raste në periudhën e njëjtë të vitit 2019, në periudhën e pandemisë janë pranuar 402, pra 6.06% më shumë”, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, siç thuhet në njoftim ulje të kriminalitetit ka pasur sa i përket veprave penale të kanosjes, ku nga 1,838 raste gjatë periudhës së njëjtë në vitin 2019, ky numër ka rënë në 1,672 raste në periudhën e pandemisë, derisa sa i përket rasteve të sulmit, ky  numër ka rënë nga 1,111 raste në 898 raste.

“Lidhur me veprat penale kundër martesës, IKD gjen se ka pasur disa lëvizje jo të shumë të theksuara të kriminalitetit, përjashtimisht dhunës në familje. Gjatë periudhës kohore prill-dhjetor 2020, Policia e Kosovës ka pranuar gjithsej 1,212 raste të dhunës në familje. Gjatë periudhës së njëjtë kohore të vitit 2020, Policia e Kosovës ka pranuar 1,404 raste, pra 191 raste më shumë. Shprehur në përqindje, del se gjatë periudhës së pandemisë, dhuna në familje është rritur për 15.75%”, thuhet tutje në njoftimin e IKD-së.

Ndërsa, sa i përket veprave penale të narkotikëve, IKD gjen se ka ulje të trendit të kriminalitetit sa i përket veprave penale që ndërlidhen me blerje apo shpërndarje dhe posedim të narkotikëve.

“Nga 290 raste që ndërlidhen me blerje, posedim dhe shpërndarje të narkotikëve, gjatë periudhës së pandemisë ky numër ka rënë në 207, pra numri i rasteve është ulur për 28.62%. Ndërsa, sa i përket posedimit të paautorizuar të narkotikëve, ky numër ka rënë nga 902 raste në 740 raste, pra ka pasur ulje për 17.96%. Por në anën tjetër, gjatë periudhës së pandemisë janë ngritur veprat penale të kultivimit të narkotikëve. Nga 23 raste në periudhën e  njëjtë të vitit 2019, gjatë pandemisë Policia e Kosovës ka pranuar 35 raste të kësaj natyre. Shprehur në përqindje, ngritja e numrit të rasteve për këtë vepër penale ka qenë 52.17%”.

Gjatës periudhës së pandemisë, IKD ka gjetur po ashtu se, ka një ngritje të trendit të kriminalitetit sa i përket veprave penale kundër të drejtave dhe lirive themelore. Në këtë drejtim, sa i përket veprave penale rrëmbimi, shtrëngimi dhe fotografimet/inqizimet e paautorizuara, numri është rritur nga 48 raste në 71 raste. Pra, për këto vepra penale ka pasur rritje për 47.91%.

/RTV-OKARINA