Pronari i “Shtëpisë së Verdhë” përgatit kallëzim penal kundër Dick Martyt

 

Pronari i të ashtuquajturës “Shtëpia e Verdhë”, Mersin Katuçi, ka rrëfyer historinë e jetës së tij.

Akuzat se shtëpia e tij është shfrytëzuar për aktivitete kriminale nga ish krerët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë dëmtuar rëndë imazhin e tij dhe të familjes.

Ai sot ndihet i zhgënjyer që u la në harresë nga Kosova dhe Shqipëria.

Është një rrugë e gjatë dhe sfiduese për të shkuar në fshatin Gurrë, raporton Teve1.

Ky fshat i vogël duket që është lënë në harresë.

Ajo që bie ne sy në këtë vend është një shtëpi e madhe.

Kjo që shihet nga kamera e tëvë1, është e ashtuquajtura “Shtëpia e Verdhë”.

Kjo shtëpi përmendet 5 herë në raportin e ish-senatorit zviceran, Dick Marty.

Pretendimet janë se në të janë hequr veshkë të njerëzve me qëllim të trafikimit nga figura të larta të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës.

Këto akuza të rënda nuk u vërtetuan asnjëherë.

Pavarësisht kësaj, akuzat se kjo shtëpi u shfrytëzua për aktivitete kriminale, kanë lënë pasoja të rënda për familjen Katuçi.

Shkaku i kësaj ngjarje, 5 fëmijët e Mersinit u detyruan ta braktisin fshatin.

Disa prej tyre emigruan edhe jashtë vendit.

Ai tani jeton vetëm me gruan e tij.

Katuci rrëfen për Tëvë1 dhimbjet që ia ka shkaktuar gjithë kjo histori.

Ai thotë se në kohën e luftës, në zonën e Gurres nuk ka shkelur këmbë kosovari.

Katuçi tregon se Dick Marty kishte shkuar në shtëpinë e tij me forca të shumta policore.

E banorët e fshatit edhe pas 20 vitesh vazhdojnë ta paragjykojnë pronarin e “Shtëpisë së Verdhë”.

Marsin Katuçi ka autorizuar avokatin Tomë Gashi për të përgatitur Kallëzim penal si dhe padi civile kundër ish-senatorit, Dick Marty.

Dhimbja më e madhe e Katuçit është se ai asnjëherë nuk u vizitua nga liderët shtetërorë shqiptarë dhe nga ish- krerët e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës.

Ai ndihet i braktisur si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova.