Hoxhaj ripërsërit ftesën për Kurtin


Enver Hoxhaj, Kandidati për kryeministër nga PDK, ka komentuar refuzimin e liderit të VV-së për përballje në debate televizive.
Hoxhaj tha se e ka ftuar Kurtin në debat për t’i krahasuar idetë dhe platformat e dy partive tona për qytetarët, për t’u dhënë atyre një pasqyrë të qartë për ofertat në këto zgjedhje.

“Mirëpo, ai refuzoi. E duke refuzuar, dëshmoi se atij nuk i interesojnë nevojat e qytetarëve, por pushteti absolut mbi ta. Për shumë vite, Kosova ka pasur nevojë për debat mes kandidatëve për kryeministër”.
Sipas tij, debati do t’i shfaqte qartë dhe mirë para qytetarëve platformat zgjedhore dhe do ta konsolidonte e forconte demokracinë tonë të re.
“Albin Kurti, duke refuzuar të dalë të përballet në një debat publik para qytetarëve, ka treguar se ai nuk e respekton qytetarin e Kosovës. Kurti e di mirë, që poezitë e tij dhe frazat dogmatike janë të zbehta kundrejt një platforme konkrete që e ka në qendër qytetarin, siç është platforma për Rimëkëmbje e Partisë Demokratike të Kosovës. Prandaj, as nuk guxon të dalë e të matet me ide konkrete para qytetarëve”, shprehet Hoxhaj.
Ai thotë se sjellja e sotme e Kurtit, është sjellje arrogante dhe injoruese jo ndaj meje, por ndaj qytetarëve.


“Unë besoj fuqishëm që qytetarët e Kosovës do t’ia tregojnë vendin secilit që mendon që mund ta anashkalojë vullnetin e tyre. Në Kosovë mund të qeverisin vetëm ata që e dëgjojnë qytetarin, e shohin qytetarin, dhe i qëndrojnë pranë qytetarit pa arsyetime, pa ankesa dhe pa marrë parasysh rrethanat. Këtë për vite me radhë e ka ofruar Partia Demokratike e Kosovës. Kjo është tradita jonë si parti dhe këtë traditë do ta vazhdojmë edhe më 14 shkurt me mua si kryeministër dhe platformën tonë për Rimëkëmbje”, tha tutje.

/RTV-OKARINA