Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë paralajmëruar protestë në rast se kryeministri Albin Kurti nuk pranon që të takohet me përfaqësuesit e kësaj organizate.
Kritika ndaj kryeministrit Kurti, ka drejtuar ushtruesi i detyrës të kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.
Klinaku pë Shqip.com, tha se idea e Kurtit për të ndryshuar Ligjin për pensionet e veteranëve pa u konsultuar me këta të fundit, është e gabuar.
“Ai nuk ka bashkëpunuar me neve dhe mendon me ndryshu ligjin për pensionet rreth veteranëve. Nëse mendon me ndryshu diçka pa marrëveshje me OVL të UÇK-së dhe nëse nuk na takon, normal që do të përdorim forma të tjera çoftë edhe protesta”, u shpreh Klinaku.
Qeveria e Kosovës nuk ka paraparë pension fiks për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pensioni që do të marrin ish-luftëtarët e UÇK-së do të varet nga disa faktorë të jashtëm, siç janë mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni.
Në draftin e Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e benificionit në lartësi të pagës minimale, nuk sqarohet nëse pensionet e veteranëve do të rriten në rast se rritet edhe paga minimale në Kosovë.
Në bazë të këtij projektligji, pensioni i veteranëve të UÇK-së nuk do të jetë fiks, pasi që me ketë projektligj, Qeveria e ka lënë të hapur lëvizjen e benificionit në varësi të mundësive buxhetore, kostos së jetesës dhe inflacionit eventual.
Janë rreth 40 mijë veteranë të luftës së UÇK-së në Kosovë, që paguhen rregullisht çdo muaj dhe varen kryesisht prej buxhetit të vendit./Shqip.com