Hoxhaj: Të mobilizohet FSK-ja dhe të nisë strehimi i familjeve

 

Përmes një postimi në llogrinë Facebook, kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Enver Hoxhaj, i ka bërë thirrje Qeverisë që të mobilizohet dhe ta thërras shtabin emergjent për menaxhimin e krizave, pas përmbytjeve që kanë ndodhur në disa vende të Kosovës, për shkak të motit me shi.

Hoxhaj, ka thënë se është thellësisht i prekur me dëmet e shumta që kanë shkaktuar reshjet e fundit në Kosovë, duke shtuar se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me shumë familje, kryetarë komunash për të evituar pasojat dhe nevojat për të cilat kanë ata.

Ky është postimi i plotë i Enver Hoxhajt në llogarinë Facebook:

“Thellësisht i prekur me dëmet e shumta që kanë shkaktuar reshjet e fundit në Kosovë. Pas këtyre përmbytjeve, të cilat fatkeqësisht po vazhdojnë edhe sot, unë edhe personalisht kam qenë në kontakt me shumë familje dhe kryetarë komunash për të evidentuar pasojat dhe t’iu gjendesha pranë për nevojat të cilat ata i kanë në këto momente.

 

 

Pamjet që vijnë nga qytetet dhe fshatrat e Kosovës nuk kanë nevojë për komente, por për reagim të menjëhershëm. Në emër të këtyre familjeve, unë kërkoj nga Qeveria që të ngrihet në nivel të detyrës dhe të mobilizojë shtabin emergjent për menaxhimin e krizave.

Të koordinojë të gjitha ekipet emergjente nëpër terren dhe të sigurohet që asnjë qytetar i Republikës së Kosovës të mos mbetet pa strehim. Të mobilizohet FSK-ja dhe të nisë strehimi i familjeve që kanë mbetur pa shtëpi dhe të shpërndahen pako ushqimore e higjenike për popullatën tonë!”

/RTV-Okarina/