Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia janë katër anëtarët e NATO-së që ende s’e njohin Kosovën.
“Në këto rrethana, njohja e Kosovës nga katër vendet mosnjohëse të NATO-s, mund të bëhet një imperativ për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në krahun jugor të Aleancës”, ka shkruar Peci në Facebook.
Peci thotë se pushtimi i mundshëm i Ukrainës nga Rusia mund të sjellë pasoja edhe në rajonin e Ballkanit, pasi do të jetë momenti kyç që vendet e rajonit, veçanërisht për Serbinë, të tregojnë besueshmërinë e tyre karshi Perëndimit. Qëllimi i Rusisë, sipas drejtorit të KIPRED, nuk është vetëm ta pushtojë Ukrainën, por edhe ta ndërrojë me forcë rendin e tanishëm evropian e botëror, si dhe ta testojë kohezionin e Perëndimit e sidomos të NATO-s.
“Ditë të errëta janë pranë kontinentit tonë, që mund të kenë për pasoje mijëra viktima në Ukrainë, por edhe më gjerë, nëse konflikti eskalon përtej kufijve të këtij vendi. Kjo mund të ketë pasoja edhe në Ballkan, duke përfshirë këtu edhe momentin e së vërtetës për Serbinë, e cila nuk do ta ketë komoditetin që të jetë deklarativisht njëkohësisht edhe me Perëndimin dhe Rusinë. Sot, për të gjitha vendet e rajonit do të jetë çështje kyçe besueshmëria e tyre si aleate të Perëndimit dhe rreshtimet e tyre, jo vetëm në raport me konfliktin në Ukrainë, por edhe në raport me sigurinë dhe stabilitetin në rajon, në këto kohë të turbullta me zhvillime të cilave nuk ju dihet fundi”, ka shkruar Peci në profilin e tij në Facebook./rtvokarina/