Më shumë se 6,500 punëtorë migrantë nga India, Pakistani, Nepali, Bangladeshi dhe Sri Lanka kanë vdekur në Katar që kur fitoi të drejtën për të organizuar Kupën e Botës 10 vjet më parë.
Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, gjetjet, të hartuara nga burime qeveritare, nënkuptojnë se mesatarisht 12 punëtorë migrantë nga këto pesë kombe të Azisë Jugore kanë vdekur çdo javë që nga nata e dhjetorit 2010 kur rrugët e Doha ishin mbushur me turma që festonin fitoren e Katarit.
Të dhënat nga India, Bangladeshi, Nepali dhe Sri Lanka zbuluan se kishte 5,927 vdekje të punëtorëve migrantë në periudhën 2011-2020.
Veçmas, të dhënat nga ambasada e Pakistanit në Katar raportuan një tjetër 824 vdekje të punëtorëve pakistanezë, midis 2010 dhe 2020, percjell Telegrafi
Numri i përgjithshëm i të vdekurve është dukshëm më i lartë, pasi këto shifra nuk përfshijnë vdekjet nga një numër vendesh që dërgojnë një numër të madh punëtorësh në Katar, përfshirë Filipinet dhe Kenia.
Vdekjet e ndodhura në muajt e fundit të vitit 2020 gjithashtu nuk përfshihen.
Në 10 vitet e fundit, Katari ka filluar një program ndërtimi të paparë, kryesisht në përgatitje të turneut të futbollit në vitin 2022.
Përveç shtatë stadiumeve të reja, dhjetëra projekte të mëdha janë përfunduar ose janë në proces, duke përfshirë një aeroport të ri, rrugët , sistemet e transportit publik, hotelet dhe një qytet i ri, i cili do të presë finalen e Kupës së Botës.