14 njerëz humbën jetën pas shkëputjes së akullnajës në Indi

Së paku 14 njerëz kanë humbur jetën dhe 150 të tjerë figurojnë të zhdukur, pasi një pjesë e akullnajës në Himalaje ra në një lumë dhe shkaktoi përmbytje të mëdha në veri të Indisë.

Ujërat hapën një digë dhe u derdhën nëpër një luginë në shtetin Utarakhand. Shumica e të zhdukurve besohet të jenë punonjës nga dy hidrocentrale në zonë.

Qindra trupa, paramilitarë dhe helikopterë ushtarakë u dërguan në rajon për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit.  Ekspertët po hetojnë incidentin që ndodhi të dielën, megjithëse nuk është ende e qartë se çfarë mund të ketë shkaktuar shkëputjen e akullnajës.

 

 

Zyrtarët thonë se 25 njerëz janë shpëtuar deri më tani, e Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, tha se po ndjek situatën në Utarakhand.

“Jam duke folur vazhdimisht me autoritetet dhe duke marrë informacione për punën e shpëtimit dhe operacionet e ndihmës”, tha Modi në një postim në Twitter të dielën.

Udhëheqësit nga e gjithë bota gjithashtu iu dërguan ngushëllime familjeve të viktimave.

/RTV-Okarina/